Opozita është ulur për herë të parë sot në tryezë me mazhorancën, që kur nisi kriza politike në shkurt të këtij viti.
Tryeza është thirrur nga OSBE dhe ka të bëjë me reformën zgjedhore. Përfaqësuesi i opozitës, Ivi Kaso, deklaroi se opozita nuk e njeh Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore që drejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari.
Opozita propozon ngritjen e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij Ivi Kaso u shpreh:
Opozita konsideron se personat që janë subjekt i dosjes 339 dhe 184 janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me reformën e vërtetë zgjedhore.
Reforma e vërtetë zgjedhore mund dhe duhet të realizohet, e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në qëndrimin e saj zyrtar, opozita nuk e njeh legjitimitetin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Duke e cilësuar si një organ që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, pasi ka dalë nga zgjedhjet e blera me krimin në 20017-ën.
Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.
Propozimi i opozitës për zgjidhjen e këtij problemi është ngritja e një grupi të posaçëm për reformën, që përfaqëson drejt elektoratin shqiptar, në përbërje të të cilit të ketë edhe përfaqësues të partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.
Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtarë (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak (mazhoranca) dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar.
Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.