Skip to content

VIDEO/ Rrugorja namin në Tiranë, mbi 2,700 gjoba në 48 orë

Gjatë fundjavës, Policia Rrugore ka shtuar kontrollet në rrugët e kryeqytetit, duke u fokusuar kryesisht te drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë radhën në trafik dhe kryejnë parakalime të rrezikshme.

Sipas një njoftimi për mediat, patrullat janë vendosur në akset më problematike të kryeqytetit, ndërsa janë përdorur dronë monitorimi, kamera inteligjente dhe pika të shumta kontrolli shpejtësie.

Gjatë këtyre 48 orëve Policia Rrugore ka:

-vendosur 136 masa administrative për mosrespektim të radhës dhe parakalime të rrezikshme, shkelje që shpesh çojnë në aksidente të rënda;

–ngritur me karrotrec 17 mjete për mungesë dokumentacioni, modifikime të paligjshme ose parkime që pengonin qarkullimin;

-konstatuar 37 drejtues mjetesh nën ndikimin e alkoolit, të ndëshkuar sipas procedurës ligjore;

-vendosur 2 mijë 758 gjoba për parkime të gabuara, një problem i përhapur që vijon të krijojë vështirësi në qarkullim;

-arrestuar ose proceduar penalisht 11 shtetas për vepra të ndryshme penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit dhe sinjalistikën rrugore, duke shmangur çdo sjellje që rrezikon jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.