Këto janë pamjet, të cilat janë publikuar nga komanda Europiane e Ushtrisë Amerikane, nga “përplasja” e dronit amerikan me një avion luftarak rus, mbi Detin e Zi.

 

Videoja, e cila është bërë publike së fundmi, sipas Pentagonit, zgjat 30 deri në 40 minuta dhe shfaq momente kritike të takimit të dy mjeteve fluturuese.

 

 

Sipas CNN, në pamjet të cilat janë filmuar nga droni amerikan, tregojnë momentin kur avioni luftarak rus nis të afrohet. Teksa afrohet, avioni hedh një pjesë të karburantit dhe vijon të monitorojë dronin amerikan. Videoja më pas ndërpritet, ndërsa avioni luftarak rus përplaset me dronin, duke dëmtuar helikën dhe në fund duke detyruar ta rrëzojë dronin në Detin e Zi.

 

Me helikën e dëmtuar, operatorët e drejtuan dronin në mënyrë efektive mbi Detin e Zi, ku edhe u lëshua pa bërë dëme në ujërat ndërkombëtare në jugperëndim të Krimesë.

 

Ndërkohë Moska, po ashtu ka publikuar një video disa sekondëshe, me anë të së cilës pretendon se nuk e ka prekur dronin amerikan.

 

Ngjarja ndodhi të martën, teksa droni ishte në një mision rutinë, në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Ky incident është rasti i parë që shënon një përplasje të drejtpërdrejtë mes SHBA dhe Rusisë, që nga nisja e luftës në Ukrainë, më shumë se një vit më parë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re