Ish-kryeministri Sali Berisha mori publikisht meritat, teksa gazsjellësi TAP dërgoi sasitë e para të gazit nga Azerbajxhani përmes Shqipërisë dhe në Itali.

Berisha tha se ishte këmbëngulja e tij, dhe qeverisë së tij që kishte insistuar në një linjë gazi e cila eleminonte Rusinë, dhe që koha i dha të drejtë sot, kur Europa po mundohet të gjejë burime alternative energjie duke shmangur Rusinë.

Por një kronikë lajmesh e vitit 2006, tregon një realitet tjetër. Sipas asaj që deklaron ish-ministri i Jashtëm në atë kohë, ka qenë qeveria shqiptare ajo që ka insistuar që gjiganti rus “Gazprom” të investonte në vendin tonë.

Interesin e qeverisë për futjen në Shqipëri të Gazprom, gjigantit rus të gazit dhe naftës, një shoqëri aksionere që kontrollohet nga shteti dhe që është shtrirë në mbarë Europën por edhe më tej, ministri Mustafaj ia ka përcjellë drejtorit ekzekutiv të Gazprom, Aleksandër Miler”, thotë spikerja e lajmeve të kronikës së vitit 2006.

Dy ditë më parë, Berisha bëri dhe një deklaratë ‘bombë” në fund të fjalës së tij, duke thënë se kishte “refuzuar oferta përrallore” të Gazpromit.

Në videon më poshtë, dëgjohet ministri i Jashtëm Mustafaj teksa thotë: “Qeveria shqiptare, paraardhëse, ka marrë kontaktet dhe ka bërë tratativa që në 2004, por Gazpromi nuk ka shfaqur interes. Unë nga takimi me zotin Miler dola me pohimin e qartë se Gazprom-i interesohet për Shqipërinë. Do të vijë në një mision shumë shpejt, mision eksplorues, por vendimi për t’u shtrirë drejt Shqipërisë është gati”.

Edhe ambasada Ruse në Tiranë reagoi dje, dhe iu përgjigj ish-kryeministrit Berisha me ironi duke thënë se “sa e madhe ishte shuma e parave që kishte kërkuar, dhe që Gazprom nuk kishte mundur t’ia plotësonte”.(Newsbomb)

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re