Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim çështjen e ish-kryetarit të Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe Alma Kaçit, të cilët do të përballen me akuzën për korrupsion.
Ish-kryebashkiaku akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Alma Kaçi për korrupsion aktiv.
Mësohet se gjyqtarja paraprake në të njëjtën seancë ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Sipas hetimeve të SPAK, janë përftuar prova dhe të dhëna nga analizimi i të cilave ka rezultuar se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar/dhënë përfitime të parregullta të pandehurit Safet Gjici, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe se ky i fundit pasi ka përfituar prej saj përfitimin e parregullt, në formën e favorit seksual, ka premtuar ta ndihmojë me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.
Video-skandali u publikua të premten (16 qeshor), ndërsa pamjet ishin filmuar në datën 6 qeshor brenda zyrës së ish-kryebashkiakut.
Kamera ishte vendosur në çantën e Alma Kaçit. Çantë e posaçme e pajisur me kamera për të kryer filmime.
Pasi video u bë virale Safet Gjici deklaroi se ky ishte një kurth dhe se ishte prej disa kohësh në lidhje intime me Alma Kaçin ndërsa u shpreh se jepte dorëheqjen nga posti.