Stuhi të forta ere dhe rrebeshe shiu kanë pushtuar pasditen e sotme edhe qytetin e Beratit, duke rrezikuar seriozisht rrëzimin e pishave e pemëve në akset nacionale.

Stuhitë e fuqishme kanë detyruar të gjitha bizneset të mbyllin qepenat për më shumë se gjysmë ore, ndërkohë që rrugët e qytetit janë mbuluar nga pluhuri, gurët dhe degët e pemëve që janë këputur nga era.

Menjëherë në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse, për të qenë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej. Stuhia e fortë ka lënë pa drita gjithë qarkun e Beratit, që prej orës 18:00 të pasdites së sotme.

Burime të KESH-it Rajoni Berat nuk japin asnjë informacion në lidhje me situatën e krijuar, duke mos konfirmuar nëse kemi të bëjmë me ndonjë defekt të shkaktuar nga era apo me dëmtime të kabinave elektrike, ndërkohë që nuk konfirmohet as fakti se kur do të rikthehet energjia elektrike në qarkun e Beratit.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re