Kreu i PD-së Lulzim Basha ka vizituar të prekurit nga tërmeti në qytetin e Durrësit.
Ai ka deklaruar për të prekurit dihet të merren pesë masa, që nga evidentimi i dëmeve deri tek kreditë e buta për bizneset.
Reagimi i plotë:
Vizita e kreut të opozitës tek familjet e prekura nga tërmeti: 5 masat që duhen për situatën. Në Durrës me një nga shumë familjet e dëmtuara nga tërmeti. Banorët kanë nevojë për mbështetje dhe jo propagandë!
Kërkojmë urgjentisht:
• Të bëhet evidentimi dhe transparenca e dëmeve për çdo banesë dhe biznes.
• Të caktohet dhe shpallet publikisht fondi i posaçëm i buxhetit për riparimin e banesave të prekura.
• Të pezullohen pagesat e ujit dhe energjisë për familjet e dëmtuara, deri në stabilizimin e gjendjes.
• Pezullimin e taksës së pronës deri në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara.
• Mbështetje me kredi të buta për bizneset që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti.
Një tërmet i fortë ka goditur Shqipërinë të shtunën duke lënë pas më shumë se 110 persona të lënduar. Tërmeti me epiqendër në detin Adriatik afër qytetit të Durrësit dëmtoi më shumë se 900 banesa, disa prej tyre të shkatërruara plotësisht.
Prej dy netësh qytetarët janë ndjerë të frikësuar dhe një pjesë e tyre ka braktisur banesat dhe po flenë në çadra e ngritura nga Emergjencat. Qeveria ka nisur punën duke ngritur grupet e punës për verifikimin e dëmeve në terren.