Nga qyteti i një mbi një dritareve, të rinjtë kanë ndarë një mesazh jetik për Beratin, në një mënyrë krejt të veçantë.

Me anë të një video sensibilizuese, Sirio Berati, 20 vjeçari i cili ka studiuar në një nga universitetet më të mira të Montrealit, ka ideuar një thirrje ndaj bashkëmoshatarëve dhe komunitetit për të mbajtur pastër ambientin që i rrethon.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo thotë se “të rinjtë e qytetit e kanë kuptuar mesazhin tonë. Të gjithë për një qytet të pastër”, duke publikuar këtë video-mesazh.

Aktorja në video flet për marrëdhënien me natyrën sikurse marrëdhënia njerëzore, ku nëse nuk investohet në mënyrën e duhur, kjo e fundit degradon. Ndaj edhe si një thirrje për kujdes ndaj mjedisit, njësoj sikurse edhe kujdesi që tregojmë për njëri-tjetrin.

“Dëgjo, nuk ja vlen më. Ne tani duhet t’i japim fund se asgjë nuk është si më parë. E di e kuptoj, është faji im i gjithë. Nuk gjej më kohë për ty. Nuk ka më durim të të ndjek nga pas, madje kam harruar dhe vetë takimin tonë. Të kujtohet sa mirë kemi qenë dikur, kur unë isha më e vogël, marrëdhënia jonë ishte më e pastër, më e shëndetshme. Ishim ne kundër botës, tani e di të kam hedhur poshtë shumë thjesht dhe kjo është bërë toksike jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që na rrethojnë. Prezenca jote kudo hedh sytë po më mbyt se më kujton që je bërë kështu për shkakun tim. Kemi arritur në atë pikë sa po ndërhyjnë të tjerët për të rregulluar marrëdhënien tonë. Besova se isha ndryshe po të kam trajtuar njësoj si gjithë të tjerët. Si mund ta shpëtojmë këtë marrëdhënie? A mund të kthehemi dot më si më parë? A mundet? A mundemi ne?”, – thuhet në këtë video-mesazh.

“Nëse edhe ju doni të shpëtoni marrëdhënien midis nesh dhe qytetit tonë, mbajeni pastër këtë marrëdhënie”, – bën apel ajo përmes videos.

20 vjeçari, Sirio Berati ka studiuar në një nga universitetet më të mira në Montreal, McGill University, për të zhvilluar pasionin e tij të lidhur ngushtë me artin dhe të bukurën. Sirio, bashkë me protagonisten e videos Elira Mustafallari inkurajon të tjerët duke nënkuptuar  se ndryshimi fillon nga vetja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re