Rastet e emigracionit në mënyrë të jashtëligjshme dhe në kushte aspak të sigurta për jetën janë bërë shumë të zakonshme në botë, që fatkeqësisht shpesh përfundojnë me numër të lartë viktimash.

 

Një tjetër tragjedi raportohet të ketë ndodhur të mërkurën në brigjet e Spanjës, ku emigrantë të cilët po lundronin në varkë, janë hedhur në det nga trafikantët.

 

Sipas Reuters në varkë ndodheshin 27 emigrantë, nga të cilët 4 janë mbytur ndërsa 23 të tjerë kanë shpëtuar. Shtetësia e tyre nuk është bërë ende e ditur.

 

Mediat iberike shkruajnë se një motoskaf i shpejtë mbërriti pranë brigjeve spanjolle, dhe nga frika se mos pikasej nga policia, drejtuesi i tij i detyroi emigrantët, që të hidheshin në det.

 

“Ne pamë një varkë trafiku droge që mbërriti, por ata nuk po trafikonin drogë, por emigrantë. Papritur, disa prej tyre filluan të hidheshin nga varka. Madje ka imazhe që tregojnë se një nga trafikantët shihet duke i drejtuar armën një emigranti dhe dukej sikur thoshte “Hidhu, ose unë të qëlloj”, tha dëshmitari okular Javier Gonzalez për stacionin televiziv lokal.

 

 

Ai tha se njerëzit që ndodheshin në plazh vrapuan për t’i ndihmuar, por anija u largua me shpejtësi.

“Ne shkuam drejt emigrantëve për t’i shpëtuar dhe vetëm brenda një ose dy minutash, ishin tre prej tyre me fytyrë nga poshtë. Ajo që bëmë fillimisht ishte që t’i merrnim ata që ishin me fytyrë poshtë dhe pastaj të nxirrnim të tjerët”, vijoi ai.

 

Deti Cadiz, ku ndodhi tragjedia është në skajin jugor të Spanjës, rreth 20 km (12 milje) nga bregu i Afrikës së Veriut.

Pavarësisht afërsisë së saj, kjo zonë nuk është një destinacion i zakonshëm për rrugët e migrimit nga Magrebi pasi ndodhet në bregun e Atlantikut ku kushtet e detit janë më të ndërlikuara dhe ka shumë mbikëqyrje në Ngushticën e Gjibraltarit./Living/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re