Në atë që po cilësohet si krim i urrejtjes ndaj komunitetit aziatiko-amerikan, një video e shpërndarë nga një kongresiste e Nju Jorkut shfaq një burrë me ngjyrë duke e goditur vetëm një herë por me shumë fuqi në fytyrë një grua 55-vjeçare aziatike.

Në video, gruaja shihet duke ecur nëpër trotuar me një qese në dorë dhe kapelë në kokë. Papritmas, një burrë me ngjyrë, i cili po lëvizte në drejtim të kundërt, e ngre dorën e majtë dhe e godet fort në fytyrë gruan, duke e rrëzuar menjëherë në tokë dhe duke e lënë pa vetëdije.

Më pas, burri që e goditi gruan bëhet sikur ai nuk e ka kryer aktin dhe duket se një kalimtari tjetër i drejtohet me fjalët: “Pse më godet”.

Disa persona i afrohen gruas së rënë në tokë për të parë nëse ajo është mirë. Një zëdhënës i policisë tha se oficerët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kanë arrestuar të dyshuarin. Ai më pas është dërguar në një spital për t’i bërë vlerësim psikiatrik, shkruan Fox News, transmeton Gazeta Express.

Zëdhënësi tha se viktima është dërguar në spital dhe është në gjendje stabile. Incidenti ndodhi në kohën e shtimit të krimeve të urrejtjes kundër amerikanëve me prejardhje aziatike. Këtë muaj, Kongresi miratoi legjislacion të ri, me të cilin synohet luftimi i krimeve të urrejtjes, të cilat janë shtuar në ShBA gjatë pandemisë.