VIDEO/ Vijon kaosi i trafikut në autostradën Durrës-Tiranë, radhë kilometrike dhe stres për udhëtarë e shoferë! Shkak, bllokimi i segmentit Vorë-Ura e Dajlanit

Vijon kaosi në autostradën Durrës-Tiranë, si pasojë e bllokimit të qarkullimit në segmentin Vorë-Ura e Dajlanit.

Trafiku më i rënduar paraqitet në aksin dytësor, duke filluar nga Ura e Limuthit në Bërxullë, për të vijuar në hyrje të Vorës.

Më tej nga Vora drejt Maminasit, që është edhe segmenti alternativë i sugjeruar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, qarkullimi i automjeteve është tërësisht i paralizuar.

Për të shmangur kaosin shumë drejtues mjetesh janë futur në rrugët e brendshme të qytetit të Vorës, por pa rezultat.

Gjithashtu, gjendje e rënduar paraqitet edhe në segmentin Fushë-Krujë-Vorë, aks në të cilin qarkullojnë më së shumti mjete të tonazhit të rëndë, që vijnë nga veriu i vendit drejt kryeqytetit apo Portit të Durrësit.

Me gjithë ndërhyrjen e Shërbimeve të Policisë Rrugore për disiplinim e trafikut, situata vijon të mbetet problematike.

ARRSH ka njoftuar se do të ndërhyjë në 5 segmente nga data 13 tetor, punime që do të zgjasin 1-2 ditë për secilin aks.