Një vatër zjarri mesditën e sotme ka prekur kodrat me ullishte të fshatit Rërëz në bashkinë Patos, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me ullinj dhe shkurre.
Të nxitura nga era e fortë dhe temperaturat e larta, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke e bërë të vështirë vënien nën kontroll të situatës.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse nga Patosi, Roskoveci, Lushnja dhe Albpetroli, të cilat po përballen me një sfidë serioze për shkak të terrenit të thyer që nuk lejon ndërhyrjen me mjete të mëdha zjarrfikëse.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, zjarri i është afruar disa banesave, një kabine elektrike dhe disa depozitave të vjetra të naftës, duke rritur rrezikun për shpërthime apo dëme të tjera të rënda.
Operacioni për shuarjen e flakëve vijon prej disa orësh, ndërsa situata mbetet kritike dhe e vështirë për t’u menaxhuar.
Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës në rast përkeqësimi të situatës.