Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho ka reaguar pas videos sarkastike me të cilën kryeministri Edi Rama ironizoi akuzat e opozitës lidhur me tenderat, paketat ekonomike dhe masat e marra kundër përhapjes së COVID-it.

“Rama dhe qeveria e tij vazhdojnë të tallen dhe të përqeshin shqiptarët. Në ditët më të vështira për qytetarët, ai harxhon kohën për të bërë montuar video dhe aktruar si klloun. Në fakt i mjaftojnë 2 minuta që të publikojë kontratat e tenderave sekretë. Kaq mjafton që t’u përgjigjet seriozisht denoncimeve të PD dhe të media dhe që shqiptarët të njihen me vjedhjen që kryeministri dhe qeveria e tij kanë bërë dhe në këto kohë krize. Shqiptarët sot nuk kanë marrë ende ndihmën që qeveria ka për detyrim ligjor tua japë.Varfëria kërcënon çdo ditë e më shumë familjet dhe zbraz tavolinat e shqiptarëve. Bizneset po falimentojnë dhe papunësia po rritet çdo ditë. Por Edi Rama dhe qeveria e tij nuk e kanë fare në plan të merren me hallet e shqiptarëve. Halli i tyre i vetëm është të ruajnë paratë e oligarkëve. Shqiptarët vuajnë, ekonomia vuan, Edi Rama bën kllounin dhe sulmon opozitën për të fshehur varfërinë dhe krizën ekonomike që po pllakos çdo ditë e më shumë mbi qytetarët dhe Shqipërinë” tha Spaho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re