Skip to content

VIDEOLAJM/ Safet Bajri me pranga në duar dhe i buzëqeshur! Momenti i shoqërimit nga RENEA!

Pamjet që shikoni janë të Safet Bajrit, gjatë shoqërimit nga RENEA në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pas urdhër arrestit të lëshuar ndaj tij nga GJKKO, me kërkesë të SPAK.

Safet Bajri dyshohet për vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018. Fatbardh Lici është vëllai i  Mustafa Lici dhe xhaxhai i Ibrahim Licit.

Bajri akuzohet edhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ai po hetohet edhe në lidhje me masakrën e Dobraçit, ku humbën jetën 4 persona, Hamza Lici, Arlind Bushati si dhe çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Mësohet se urdhër arrest është lëshuar edhe për Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij, Behar Bajri, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Bilali ndodhet në burgun e Reçit, ku edhe do t’i komunikohet akuza e re.

Kujtojmë që 3 ditë më parë, 18 Shkurt, në banesën e Safet Bajrit u kryen kontrolle nga forcat RENEA.

Pas aksionit të RENEA, ai reagoi duke u shprehur se sa herë që policia shkon në banesën e tij i jep USB e kamerave. Safet Bajri deklaroi se nuk ka lidhje me asgjë, duke përmenduar masakrën e Dobraçit. Ai tha se Asmer Bilalin e ka shok, duke theksuar se “kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”.

Përplasja me armë në Bushat

Anëtarë të grupit të Safet Bajrit, përfshirë Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin, vitin e kaluar, kanë tentuar të ekzekutojë Aleksandër Prendin në fshatin Rranxë, në Bushat të Shkdrës. Në momentin që kanë shkuar ta vrasin, Prendi u është përgjigjur me armë dhe mes tyre ka patur një shkëmbim zjarri.

GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për Samuel Troshanin, Izmir Sakicën, Franko Lekën dhe Aleksandër Prendin.

Sipas SPAK, Samuel Troshani, Izmir Sakica, dhe Franko Leka në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar janë nisur të organizuar me mjete të blinduara në drejtim të fshatit Rranxë.

Ata kanë qenë të armatosur dhe ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, se kanë shkuar në këtë zonë me qëllim vrasjen e Prendit dhe familjarëve të tij, banorë të kësaj zonë.

Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Prendi, thotë SPAK, dhe se nga provat e siguruara në vendin e ngjarjes rezulton të ketë pasur shkëmbim zjarri, jo dëmtime të shëndetit të personave të përfshirë, por vetëm të mjeteve.

Njëri nga mjetet me të cilën kanë lëvizur personat nën hetim, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në vendin e ngjarjes. Ai ka rezultuar i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat nuk i përkojnë po të njëjtit mjet.

Në lidhje me kontrollet, SPAK thotë se janë ushtruar në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të cilat dyshohen se përdoren si baza për strehimin e personave nën hetim ose si vende, ku mund të gjenden prova për vepra penale, të cilat po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

“”