Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici është liruar nga qelia për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Mësohet se Gjykata e Apelit te Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi ndryshimin e vendimit, duke pranuar kërkesën për zbutje të masës së sigurisë.

Ndaj Gjicit u vendos masa e sigurisë arrest shtëpie, duke bërë që pjesën e mbetur të dënimit Gjici ta kalojë në banesën e tij. Safet Gjicit i kishin mbetur edhe rreth 8 muaj vuajtje dënimi.

Gjici kishte dorëzuar dy herë kërkesë në Gjykatën e Elbasanit për liri me kusht. Sipas avokatit, ish-kryebashkiaku i Kukësit vuan nga zemra, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Avokati ka deklaruar më parë se këto problematika Gjici i ka vuajtur edhe më herët, por gjendja e rënduar psikologjike në burg ka rënduar edhe gjendjen e tij shëndetësore.

Arrestimi dhe denimi 

Kujtojmë qe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli më 7 shkurt të vitit ta kaluar deklarimin fajtor të ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” lidhur me aferën seksuale në zyrën e tij dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet heqje lirie.

Safet Gjici u arrestua më 24 qershor 2023, pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua dhe më pas duke u kërkuar vartësve të kujdeseshin për të kaluar në këshill një projekt të kërkuar prej saj për menaxhimin e qenve të rrugës.

Prokuroria e Posaçme, SPAK e dërgoi çështjen për gjykim për korrupsion pas verifikimit të rrethanave të konstatuara në videoregjistrimin që qarkulloi në internet, ku dy të pandehurit shfaqeshin duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e kryetarit të bashkisë. Sipas prokurorisë, nga provat dhe të dhënat e analizuara rezultoi se e pandehura Alma Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime të parregullta Gjicit, ndërkohë që ky i fundit i ka përfituar prej saj favore seksuale.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko