Zgjedhjet pjesshme lokale të 6 marsit 2022 do të jenë testi i parë elektoral për aleancën e dytë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, dyshe e cila synon rrëzimin e Lulzim Bashës, kapjen e Partisë Demokratike dhe sfidimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’ vjen pas një raporti 30-vjeçar mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, i karakterizuar nga akuzat nga më të përbindshmet ndaj njëri-tjetrit, nga urrejtja, arrestimi, shantazhi, kurthet politike, flirtet, bashkëpunimet për interesa të ndërsjella, aleancat, pabesia, spiunimet etj.

Report Tv sjell në vëmendje këtë video, kur Sali Berisha, në gusht të vitit 2001, akuzon Ilir Metën si përfaqësues i klanit më të rrezikshëm i trafikut të fëmijëve, vajzave të mitura, të drogës etj.

Në një video tjetër, e shtatorit të vitit 2000, Ilir Meta akuzon nga Shkodra Sali Berishën si kapobandën e Shqipërisë dhe si një njeri që ka futur në vëllavrasje Tropojën, vendlindjen e tij. Meta e etiketon gjithashtu Berishën si arkaik dhe rrugaç.

Në luftën e akuzave nga më të rëndat mes Berishës dhe Metës, është përfshirë edhe Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës. Në gusht të vitit 2000, Monika Kryemadhi e quante Sali Berishën fashist, enverist dhe psikopat. Nga ana tjetër, Berisha pretendonte se mbi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin rëndojnë dy varrë pas Malit të Dajtit.

Sipas Berishës, Meta do ta mbyllte jetën e tij prapa hekurave. Sot, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi pretendojnë se janë opozita e vërtetë. /Shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re