Demirel Sinaj, një 27-vjeçar me banim në fshatin Kreshpan u arrestua nga policia e Fierit, pasi dyshohet se vidhte bizhuteri ari dhe argjendi, përfshirë varëse me gurë diamanti, dhe më pas i shiste në argjendari të ndryshme në Fier dhe në Lushnje.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan bizhuteri, ora, sende të dyshuara me vlerë artistike dhe kulturore, si dhe fishekë arme gjahu.

Bizhuteritë vidheshin në Itali dhe Greqi, dhe futeshin kontrabandë në Shqipëri.

Blutë shpallën në kërkim bashkëpunëtorin e tij, një 45-vjeçar nga fshati Kraps i Fierit, me të cilin vidhnin jashtë vendit. Edhe atij iu gjetën në banesë ora, bizhuteri, dhe një shkop gome.

Ndërsa një hetim në gjendje të lirë nisi për 7 administratorë argjendarish në Fier dhe në Lushnje: Dritan Hoxhaj, Enklev Gjergji, Mirlind Subashi, Agron Kulluri, Albiano Shahaj, Bujar Balla, Jurida Dashi.

Ata dyshohen se i blinin sendet e vjedhura nga Demirel Sinaj dhe i tregtonin në argjendaritë e tyre, aty ku iu gjetën disa mallra pa dokumentacion ligjor të origjinës. Një pjesë e konsiderueshme e sendeve të vjedhura iu gjetën edhe gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre.

Vlera paraprake e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 2 milionë euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re