Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar ditën e sotme gjykimin lidhur me caktimin e masës së sigurimit për Elisabeta Bardhollari dhe Orjada Hoxha, inferimieren dhe shitësen e një dyqani elektroshtëpiakesh, të cilat në bashkëpunimin me njëra tjetrin merrnin kredi në emër të pacientëve, të cilëve infermierja Bardhollari u vidhte kartat e identitetit në spitalin ku punonte.

Me vendimin nr. 1699 Akti, datë 30.09.2021, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:

Për personin nën hetim Elisabeta Bardhollari, caktimin e masës “Arrest në burg”.

Për personin nën hetim Orjada Hoxha, caktimin e masës “Arrest në Shtëpi”.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personat nën hetim E.B dhe O.H.

Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr. 935 datë 13.10.2021 vendosi: Miratimin e vendimit nr. 1699 Akti, datë 30.09.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Si funksiononte skema e vjedhjes

39 vjeçarja Bardhollari ishte e punësuar si infermiere në spitalin nr.5 në Tiranë, ndërsa 32 vjeçarja Hoxha, punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake

Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se infermierja e Spitalit, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases Orjada Hoxha, e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.

Hoxha i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re