Ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në Turqi dhe Siri, vullnetarët janë mobilizuar për të ndihmuar miliona të mbijetuar, duke përfshirë një grup kuzhinierësh dhe pronarë restorantesh që kanë shpërndarë ushqime të ngrohta për personat e zhvendosur në çadra. Disa kanë ofruar tenda dhe batanije.

 

 

Shteti më i fundit që ofroi ndihmë ishte Taxhikistani, i cili dërgoi një grup prej 50 personash si dhe 2.5 tonë pajisje.

 

 

Situata në Siri është më e vështirë, për shkak të bllokimit që ka sjellë regjimi i presidentit Bashar Al Asad. Kombet e Bashkuara janë zotuar se do të japin një shumë prej 25 milionë dollarësh për njerëzit në zonat e goditura.

 

 

Zyrtarë të lartë bënë të ditur se kushtet humanitare në vend janë në gjendjen më të keqe, që nga fillimi i konfliktit të armatosur në vitin 2011.

 

 

Edhe SHBA njoftoi për një paketë fillestare prej 85 milionë dollarësh për të ndihmuar Turqinë dhe Sirinë që të rimëkëmben nga tërmeti, duke përfshirë dhe heqjen e përkohshme të disa sanksioneve kundër Damaskut. Në Siri mbërriti karvani i parë i ndihmave për zonat rebele, përmes një korridori humanitar që aktualisht është i vetmi.

 

 

Turqia deklaron se do të hapë dy pika të tjera kufitare, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres është treguar i gatshëm të dërgojë ndihma edhe përmes kalimeve të tjera, siç po bëjnë aktualisht Rusia, Irani dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

 

 

Vetëm dy ditë më parë, Qeveria siriane vendosi të lejojë që ndihma për tërmetet të arrijë në të gjitha pjesët e vendit, duke përfshirë zonat e mbajtura nga grupet kryengritëse në veriperëndim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re