Edhe ditët e para të muajit gusht kanë regjistruar një fluks të lartë udhëtarësh në portin e Durrësit që hyjnë në vendin tonë për pushimet verore. Vetëm mëngjesin e kësaj të shtune në portin më të madh të vendit kanë mbërritur 2 tragete nga porti i Barit.

 

Përgjatë ditës afro 4300 pasagjerë dhe 1200 autovetura pritet që të mbërrijnë me 2 tragete.

 

Me të njëjtin fluks, porti i Durrësit pritet të përballet përgjatë gjithë gushtit, pasi ky muaj përkon me ardhjen e emigrantëve që vijnë nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.

 

Në terminalin e pasagjerëve janë marrë masat për të punuar me kapacitet maksimal, me 32 sportele, 20 për makinat dhe 12 për këmbësorët.

 

Gjatë muajit korrik janë regjistruar 39 mijë pasagjerë, që kanë hyrë në këtë port ndërkohë që fluksi arriti pikun me 20 mijë vetëm javën e fundit të këtij muaji.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re