Në Kadastrën e Vlorës vazhdon “furtuna”, pasi 4 juristë janë shkarkuar sot, ndërsa për 19 të tjerë është dhënë vërejtje, pasi injoruan një vendim gjykate.
Juristët e shkarkuar janë Besmira Xhaferaj, Arba Mullai, Aldo Hoxhaj dhe Ermal Hoxha. Ata janë thirrur në Tiranë dhe u është komunikuar vendimi i shkarkimit.
Ditën e djeshme, mbi 20 juristë dhe specialistë të Kadastrës janë marrë në pyetje, ndërsa dyshohet se ish-drejtuesit e kësaj zyre që u shkarkuan disa ditë më parë kanë pasur presione për mos ta regjistruar pronën sipas vendimit të gjykatës.
Pikërisht ky vendim i formës së prerë i paekzekutuar, dyshohet se është bërë shkak edhe për ndryshimin e të gjithë zinxhirit komandues të Kadastrës së Vlorës. Policia ka marrë denoncime se ish-drejtues të Kadastrës, të cilët u zëvendësuan disa ditë më parë, janë vënë nën presion për mos ta regjistruar pronën sipas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe për të vërtetuar këto denoncime, ka nisur edhe hetimi nga Drejtoria e Policisë së Vlorës.
Për këtë arsye, mësohet se gjatë ditës së mërkurë janë marrë në pyetje mbi 20 juristë dhe specialistë të Kadastrës të cilët kanë dhënë shpjegimet e tyre në lidhje me mosregjistrimin e kësaj prone sipas vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë.
Burime të A2 në qytetin bregdetar, bëjnë me dije se prona është një objekt shumëkatësh në ndërtim në afërsi të bregdetit për të cilën ka pasur pretendime pronësie mes disa personave. Për momentin nuk bëhen të ditura detaje të tjera rreth kësaj çështje, ndërsa hetimi i nisur tashmë pritet të zbardhë këtë konflikt.