Skip to content

Vijon rënia e rasteve të reja/ 416 të infektuar në total

Rastet e reja me COVID-19 në Shqipëri po bien. Këtë të premte Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se brenda 24 orëve janë regjistruar vetëm 7 raste të reja, nga nëntë që ishin një ditë më parë. Të testuar në një ditë janë 162 persona. Gjithsej, numri i të infektuarve në vendin tonë ka shkuar në 416.

 

“Në 24 orët e fundit janë testuar 162 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3385 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 416 raste. Duke ndjekur ecurinë e këtij infeksioni, në grafikun e shpërndarjes së rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me SARS-COV2 sipas ditëve, vihet re një trend i qëndrueshëm i rasteve të konfirmuara.”

 

Dervishi sqaroi se pesë pacientë janë të intubuar, pra në gjendje të rëndë.

 

“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 50 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, dhe 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar.”

 

Teksa të vdekurit mbeten po 23, të shëruarit kanë shkuar në 182. Rastet e reja janë regjistruar në Tiranë, ku 3 persona kanë dalë pozitivë dhe në Shkodër.