Laurence Poujade, viktimë e abuzimit seksual nga një prift francez tha se sulmi pati pasoja të mëdha negative në jetën e saj dhe se asaj iu kërkua të heshtë dhe të ndërpriste marrëdhëniet me familjen e saj.

Kohet e fundit publiku në Francë u trondit nga lajmi për abuzimin seksual të 216 mijë fëmijëve në kisha që nga viti 1950. Kur kësaj i shtohen abuzimet e punonjësve të shkollave dhe institucioneve që veprojnë nën kujdesin e Kishës Katolike, numri i viktimave shkon mbi 330 mijë.

Në raportin e Komisionit të Pavarur për Hetimet e Abuzimit Seksual në Kisha (CIASE) thuhet se 15 mijë të rritur janë abuzuar në kisha në shtatë dekadat e fundit dhe se numri i viktimave tejkalon 35 mijë nëse merren parasysh abuzimet në institucionet që veprojnë nën kujdesin e kishave.

Kryetarja e shoqatës “Sentinelle”, Laurence Poujade, është një nga viktimat që përjetoi abuzim seksual 25 vjet më parë nga një prift francez me të cilin zyrtarisht udhëtoi për në Guine.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Poujade vuri në dukje se shifrat e deklaruara në raportin CIASE ishin shqetësuese dhe tronditëse.

“Kjo shkaktoi një tronditje si cunami. Numrat janë sigurisht më të lartë sepse shumë viktima kanë vdekur dhe shumë as nuk kanë folur për këtë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të zbulohen këto numra. Ky është një moment historik sepse raporti thekson përgjegjësinë e kishës”, tha 55-vjeçarja Poujade.

Duke theksuar se është e pasigurt nëse kisha do të pranojë përgjegjësinë e saj, Poujade tha se shkalla e abuzimit tregon se është zbatuar një sistem ku viktimat nuk janë dëgjuar.

“Edhe pse nuk kisha asnjë lidhje shpirtërore apo kontakt me të, isha viktimë e abuzimit seksual nga ky prift. Ai u zemërua dhe më hodhi në dysheme, pastaj më abuzoi dhe u përpoq të më përdhunonte. Ai më rrahu që të mos i tregoja asnjërit prej eprorëve të mi për këtë. Ndodhi 25 vjet më parë kur isha 30 vjeç”, tha Poujade.

Ata i thanë asaj të ndërpriste marrëdhëniet me familjen dhe të heshte për këtë

Ajo më tej tha se komuniteti i kishës i kërkoi asaj të ndërpriste çdo kontakt me familjen dhe të mos i tregonte askujt për atë që kishte ndodhur.

“Mirëpo, familja ime menjëherë kuptoi se diçka kishte ndodhur sepse kisha gjurmë të rrahjeve dhe mavijosjeve në trupin tim. Unë nuk kisha lirinë t’i tregoja për këtë”, tha Poujade.

Ajo më tej gjatë bisedës tha se përvoja tronditëse e detyroi atë të mendonte që të martohej dhe të formonte familje, dhe shtoi se në ato momente nuk kishte me kë të fliste për këtë.

“Për sulmin fola madje gjashtë vite më vonë. Unë u përballa me pasojat psikologjike të sulmit. Shëndeti im fizik gjithashtu u përkeqësua në mënyrë progresive. Është e rëndësishme që raporti thekson se është e nevojshme të shërohen plagët e viktimave. Kisha duhet të pranojë përgjegjësinë e saj dhe të paguajë kompensim material”, tha Poujade.

Për të filluar luftën kundër abuzimit seksual në kisha, familja e saj themeloi shoqatën “Jeta Fetare dhe Religjioni” ndërsa ajo ka qenë drejtuese e shoqatës “Sentinelle” për 10 vjet, e cila gjithashtu merret me këtë temë.

Rrëfimi para anëtarëve të Komisionit

Duke theksuar se gratë e dhunuara ishin viktima të mëdha dhe se disa prej tyre kryen vetëvrasje, Poujade tha se shoqata e saj i ndihmon këto gra dhe se ajo personalisht u dëshmoi anëtarëve të komisionit hetimor në dy raste për atë që përjetoi.

Ajo shtoi se është e vështirë për viktimat të flasin për përvojat e hidhura dhe se ata kanë vështirësi në raportimin e asaj përvoje tek organet kompetente hetimore.

Duke nisur një fushatë për mbledhjen e nënshkrimeve si pjesë e një peticioni për kishën që të marrë përgjegjësinë, Poujade në këtë kontekst tha se dhe shoqëria duhet të bëjë pjesën e saj të përpjekjes.

Duke kujtuar se ajo kishte probleme për të gjetur punë pas abuzimit, Poujade tha se nuk pati te lehtë që të kthehej në marrëdhëniet normale shoqërore.

Sekreti i rrëfimit të mëkateve si pengesë për zbulimin e abuzimit në kisha

Poujade tha gjithashtu se ka një numër të madh abuzimesh si tek të rinjtë ashtu edhe tek të rriturit dhe se kjo është një shqetësim i veçantë.

Presidenti i Konferencës së Peshkopëve Francezë, Eric de Moulins-Neaufort, më 6 tetor tha se sekreti i rrëfimit të mëkateve është mbi ligjin francez ndërsa Poujade tha se kjo parandalon zbulimin e rasteve të abuzimit brenda kishës.

Ajo beson se këto parime duhet të rishikohen pasi disa dëshmi shkojnë përtej fushës së rrëfimit të mëkatit.

Anëtarja e CIASE, Laetitia Atlani-Deault tha se ishte e nevojshme të mundësohej që autoritetet kompetente gjyqësore të raportonin rastet e abuzimit seksual të kryera nga priftërinjtë, për të cilat viktimat dhe dëshmitarët dëshmuan në rrëfim.

Sipas ligjit penal francez, çdo personi i kërkohet të raportojë në polici nëse e di që një i mitur është abuzuar seksualisht. Mosrespektimi i kësaj dispozite ligjore dënohet deri në 3 vjet burg si dhe gjoba deri në 45 mijë euro. Nëse një fëmijë nën moshën 15-vjeç abuzohet, dënimet janë 5 vjet burg dhe 75 mijë euro.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re