Skip to content

Viktima më e fundit nga zjarri izraelit, teksa po kërkonte macen

Ushtria izraelite ka pranuar se vrau “aksidentalisht” një adoleshente palestineze gjatë një operacioni në Jenin, në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Të hënën herët në mëngjes, ministria e shëndetësisë e Autoritetit Palestinez njoftoi vdekjen e Jaina Zakarna, 16 vjeçe, e cila u qëllua në kokë në një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe militantëve lokalë. Hussein al-Sheikh, një zyrtar i lartë i qeverisë palestineze, bëri thirrje për një hetim të menjëhershëm për “ekzekutimin e adoleshentes”, funerali i të cilit u mbajt disa orë më vonë në prani të qindra njerëzve.

“Nga hetimi paraprak dolëm në përfundimin se vajza e re u vra nga zjarri i paqëllimshëm i ushtarëve që synonin njerëz të armatosur në një çati në këtë zonë”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.

Sipas familjes së saj, Jaina ishte në çatinë e shtëpisë së saj kur ndodhën të shtënat. Ajo u gjet e vdekur pasi forcat izraelite u tërhoqën.

“Ajo u ngjit (në çati) për të kërkuar macen e saj dhe nuk u kthye më. Pastaj vëllai i saj doli për ta gjetur, hapi derën dhe e pa atë të shtrirë këtu në shpinë”, tha xhaxhai i vajzës, 28-vjeçari Yasser Mahmud Zakarna. “Ai është qëlluar në kokë, në fytyrë dhe dy herë në gjoks”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Benny Gantz shprehu keqardhjen e tij për vdekjen e të miturës “si dhe vdekjen e çdo personi që nuk është i përfshirë në terrorizëm”.

Dy palestinezë të tjerë u plagosën gjatë këtij operacioni, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Ushtria izraelite tha se të dyshuarit vendosën pajisje shpërthyese dhe qëlluan mbi ushtarët. Tre persona u arrestuan. “Ushtarët u përgjigjën me plumba të vërtetë kundër personave të armatosur,” shtoi ai.