President i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar Shqipërinë si vendin e vetëm në botë ku nuk humbi jetën dhe nuk u dorëzua në dorën e pushtetit asnjë hebre gjatë Holokaustit, një nga tragjeditë më të tmerrshme të historisë njerëzore.

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, Meta shkruan se shqiptarët ndihen jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës, u bashkohem lutjeve për miliona viktima të pafajshme të mizorisë së Holokaustit dhe për të gjithë ata, të cilët i mbijetuan tragjedisë më të tmerrshme njerëzore të kohërave tona dhe janë sot dëshmitarë të gjallë të saj, për të na inkurajuar, që të mos lejojmë KURRË MË të tilla gjenocide e akte çnjerëzore.

Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku nuk humbi jetën asnjë hebre dhe askush prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë, duke dalë nga ajo periudhë e errët, me një popullsi hebraike më të madhe në numër nga ç’kishte para fillimit të Luftës.

Ndihemi jashtëzakonisht krenarë dhe e gjithë bota duhet të ndjekë shembullin frymëzues shqiptar dhe Kodin tonë të nderit e të mikpritjes BESA!

I lumtur, që sot Shqipëria dhe Izraeli ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë dhe janë bashkërisht të angazhuara në luftën ndaj terrorizmit dhe antisemitizmit, për promovimin e tolerancës, bashkëjetesës dhe përkujtimit të Holokaustit,” deklaroi Meta.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re