Me anë të një letre publike, dirigjenti i njohur shqiptar Bujar Llapaj i ka kërkuar presidentit të vendit Ilir Meta të kërkojë falje për viktimat e periudhës së regjimit komunist, pasi ne 30 vite demokraci asnjë zyrtar nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë. Sipas Llapaj një pendesë zyrtare do t’ju kthejë viktimave dinjitetin e mohuar. Duke marrë shkas nga reagimi i Presidentit për ish-deputetin Kastriot Islami, Llapaj shkruan:

“I nderuar Z. President,

Pasi lexova reagimin Tuaj të drejtë, në mbrojtje të dinjitetit të ish -deputetit të PS dhe PD, profesor Kastriot Islami ku Ju si kryetar i shtetit i kërkoni ndjesë mendova T’ju shkruaj këtë letër të hapur për një problem madhor (sipas meje), një plagë e hapur dhe një peshë e rëndë e cila  do të vazhdojë të mbajë të ndezur luftën e klasave dhe urrejtjen ndërshqiptare të mbjellë në 50 vite komunizëm dhe të vaditur me ligësi 30 vitet e fundit.”

Llapaj gjatë reagimit të tij shprehet se askush nuk ka marrë guximin dhe as hapin që të kërkojë falje për viktimat e regjimit komunist.

“Në këto 30 vjet “demokraci” asnjëri prej presidentëve apo kryeministrave zyrtarisht, në emër të shtetit shqiptar, nuk ju ka kërkuar FALJE VIKTIMAVE të regjimit komunist, si një hap i parë për nisur një pajtim mbarëshqiptar, për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të burgosurve dhe syrgjynosurve politikë, për të ndarë urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre krimeve nga komunistët e thjeshtë, për të ruajtur gjithçka të mirë që baballarët tanë ndërtuan nën atë regjim, për të çliruar pasaardhësit nga barra e rëndë e mëkatit të paraardhësve tanë si një mësim që të mos të përkrahim dhe ngremë në pushtet individë që mishërojnë urrejtjen krahinore, dhunën verbale dhe fizike ndaj kundërshtarëve, talljen dhe përbuzjen ndaj çdo njeriu me dinjitet.”

Më tej gjatë letrës dhe reagimit të tij, Llapaj shkruan se ai vetë është bir i një komunisti të ndershëm, gabimi i vetëm i të cilit ishte se besoi verbërisht tek ideali komunist se do të vinte një ditë që do të hanim me luge të florinjtë. LLapaj drejtuar presidentit thotë se asnjëherë nuk është vonë për të rregulluar një padrejtësi të bërë nga ” shumica” kundër “pjesës” tjetër të të njëjtit gjak, pasi sipas tij  një Pendesë zyrtare do t’ju kthejë Viktimave dinjitetin e mohuar dhe nga varret e tyre do të dali një frymë çlirimi.



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re