Trupat e pajetë të 45 viktimave në tragjedinë e Bullgarisë, do të mbërrijnë nesër në mëngjes në Maqedoninë e Veriut. Kështu ka bërë të ditur ambasadori bullgar në Maqedoninë e Veriut Angel Angelov.

AI u shpreh se viktimat e autostradës ‘Struma’ do të përcillen përmes dy avionëve ushtarakë.

“Pala bullgare do të sigurojë dy avionë transportues ushtarakë që do të transportojnë trupat e viktimave nesër në mëngjes”, tha Angelov.

Tashmë viktimat janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, ndërsa hetimi për shkaqet e aksidentit vijon ende.

Raporti: Rruga ku ndodhi aksidenti ka parregullsi

Aktualisht nën hetim mbetet rruga ku ndodhi aksidenti dhe gabimi njerëzor (veprimet e shoferit). Sipas një raport inspektimi ndërkombëtar, i bërë me kërkesë të autoriteteve bullgare, rezulton se bankinat në rrugë nuk janë vendosur sipas rregullores.

Po sipas këtij raporti, në vendin e aksidentit është ndërruar rrethoja mbrojtëse dhe ka patur mungesë të sinjalistikës.

“Në këtë pjesë të magjistrales ka pasur mbi 200 aksidente trafiku. Pas aksidenteve, rrethoja mbrojtëse është dashur të zëvendësohet me një të re, por nuk është zëvendësuar në mënyrë cilësore. Kjo mbrojtëse nuk mund të përballojë goditje”, tha Emil Markov, ekspert në Institutin për Siguri Rrugore.

Raporti është duke u përgatitur dhe në ditët në vijim do t’u dorëzohet organeve kompetente, siç raporton tv21.

Tragjedia me 45 viktima ndodhi më 23 nëntor në një rrugë të Bullgarisë, afër qytetit të Pernikut. 7 persona mundën t’i shpëtojnë flakëve e tymit që përfshiu autobusin me 52 vetë.

Viktimat ishin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ndërsa aksidenti vetë, një ndër tragjeditë më të rënda të ndodhura në mbarë kontitentin europian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re