Ndeshja e La Ligas spanjolle mes Villarreal dhe Barcelonës, e planifikuar për t’u zhvilluar më 20 dhjetor në Miami, është anuluar nga organizatorët për shkak të mungesës së kohës për përgatitjet e duhura. Duket se ndeshja do zhvillohet në Spanjë pas shumë protestave nga klubet e La Ligas dhe ankesave zyrtare, mes tyre edhe Real Madrid.
“Relevent i ka informuar La Ligën për nevojën për të anuluar këtë ndeshje në Miami. Duke pasur parasysh pasigurinë aktuale në Spanjë, nuk ka kohë të mjaftueshme për të realizuar një ngjarje të këtij niveli. Do të ishte gjithashtu e papërgjegjshme të fillohej shitja e biletave pa një ndeshje të konfirmuar,” thuhet në reagimin zyrtar.
Fillimisht, takimi ishte planifikuar të zhvillohej në stadiumin ‘De La Ceramica’, stadiumi i Villarrealit, por më pas u propozua zhvendosja në ‘Hard Rock Stadium’ në Miami Gardens, Florida. Kjo do të ishte hera e parë që një ndeshje e një ligë kryesore evropiane luhet në SHBA, edhe pse Superkupa Spanjolle është zhvilluar në Arabinë Saudite në katër nga pesë sezonet e fundit.
