Zika, Denga dhe Ethet hemorragjike të Krimesë Kongo (CCHF) përfundimisht do të përhapen në tokën britanike, thonë ekspertët.

Përmes hulumtimeve shkencore, ata përcaktuan se këto sëmundje kërcënojnë Britaninë e Madhe për shkak të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturave, të cilat kanë rezultuar në një numër më të madh të mushkonjave dhe rriqrave që transmetojnë këto sëmundje, shkruan Daily Mail.

Një nga shqetësimet e tyre më të mëdha janë ethet e Rift Valley – një sëmundje me një shkallë vdekshmërie prej gati 40 përqind. Është veçanërisht e rrezikshme që infeksionet fillestare mund të kalojnë nën radarin e mjekëve që nuk janë të njohur me patogjenët “të huaj”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka renditur CCHF si një nga sëmundjet e saj prioritare, e cila tashmë ka arritur në Francë.

James Wood, kreu i mjekësisë veterinare në Universitetin e Kembrixhit, u tha deputetëve në Komitetin e Shkencës, Inovacionit dhe Teknologjisë se ka shumë të ngjarë që CCHF të arrijë në MB në të ardhmen.

“Disa infeksione të shkaktuara nga rriqrat, si Ethet Hemorragjike Krime-Kongo, ka shumë të ngjarë të përhapen në Britaninë e Madhe në një moment. Ka infeksione të shkaktuara nga mushkonjat, si Ethet e Luginës Rift, të cilat mund të shfaqen më pas,” tha Wood.

Ethet e Rift Valley (RVF) mund të vrasin deri në gjysmën e pacientëve të infektuar.

“Zbulimi i hershëm i sëmundjeve do të jetë një sfidë sepse mjekët tanë nuk janë të trajnuar për të dalluar këto sëmundje”, shtoi ai.

“Viruset e transmetuara nga artropodët si virusi Denga dhe virusi Zika mund të vendosen në Mbretërinë e Bashkuar”, tha profesor Bryan Charleston, drejtor i Institutit Pirbright, i cili studion sëmundjet infektive te kafshët.

Ndryshimet klimatike po ndryshojnë zonat ku mund të gjenden disa viruse. Ethet e Denga-s janë një sëmundje klasike e Amerikës së Jugut dhe Azisë Juglindore, ndërsa tani ajo është shfaqur edhe në Mesdhe. OBSH ka përcaktuar CCHF, RVF dhe Zika si sëmundje që mund të shkaktojnë një pandemi në të ardhmen. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re