Vetëm gjatë muajit nëntor në Kosovë, të paktën 15 fëmijë janë paraqitur në Klinikën e Pediatrisë në QKUK për kontroll për shkak të infektimit me virusin Coxsackie (Koksaki). Një numër fëmijësh në Shqipëri po ashtu janë prekur nga kjo lloj viroze.

Shumë prindër janë shqetësuar për fëmijët kur kanë parë krijimin e pikave apo puçrrave të kuqe në duar, këmbë apo gojë.

Mjekët në Kosovë shpjeguan dhe për median se ky lloj virusi prek moshat nga një deri në 5 vjeç dhe se pjesa dërrmuese e fëmijëve të prekur e kalojnë sëmundjen brenda pak ditëve, pa patur probleme. Në disa raste të rralla, e për shkak të kalimit në një infeksion sekondar, fëmijëve u është dhënë antibiotiku.

Virusi shpërndahet përmes spërklave në ajër dhe nga prekja (kontakti fizik). Mjekët tregojnë se virusi është shpërndarë për shkak se fëmijët e prekur, pasi janë në moshë të vogël, nuk mund të ruajnë higjienën e kësisoj preken nga virusi.

Ky lloj i virusit bën pjesë në kategorinë e enteroviruseve dhe zakonisht gjendet në gojë, stomak e zorrë.

Gjysma e fëmijëve që preken nuk kanë simptoma, ndërsa pjesa tjetër mund të përjetojnë dhimbje të fytit, temperaturë, dhimbje koke dhe pikat a puçrra në duar, këmbë e gojë. Pavarësisht rasteve me simptoma, sëmundja kalon pa nevojën e barnave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re