“Virusi do të jetë gjithmonë me njerëzit dhe fazat e verës do të jenë më të lehta”.

Kështu ka deklaruar epidemiologu Ilir Alimehmeti, i cili pretendon se virusi nuk do të zhduket asnjëherë por do të bashkëjetojë me ne ashtu si viruset e tjera.

Sipas tij, imuniteti do të arrihet kur koronavirusin ta kalojë 60% e popullatës.

“Ky virus do të qëndrojë me ne, ai nuk zhduket nga rruzulli tokësor. Bashkëjetesa është si me çdo lloj bakteri dhe virusi tjetër. Ka shumë grupe që po tentojnë të prodhojnë vaksinë, por kjo do kohë. Edhe për gripin ka një vaksinë, por virusi është aty. Së dyti, është imuniteti personal. Sa do të zgjasë ky imunitet do të studiohet në kohë. Më pas, është imuniteti i popullatës, i cili funksionon pasi ky virus të ketë kaluar te rreth 60 përqind e popullatës. Suedia po ndjek strategjinë më direkte, po ashtu edhe Danimarka ka deklaruar hapjen e shkollave. Po tentohet të arrihet përqindja me shtresat më pak të rrezikuara”, u shpreh ai në një lidhje me A2.

Alimehmeti tha se shifrat në vendin tonë po vazhdojnë në një linjë të rrafshët, por nuk përjashtoi mundësinë se mund të ketë më shumë të infektuar.

“Shifrat janë të qarta dhe rastet ditore variojnë në një linjë të rrafshët, jo një kurbë. Kemi një rënie të rasteve aktive, por ka një rënie të rasteve aktive reale. Megjithatë, nuk ka asnjë lloj çudie që edhe në Shqipëri të ketë më shumë të infektuar, ashtu siç janë shprehur epidemiologët edhe në Lombardi. Rastet që po shërohen janë më shumë se rastet e reja dhe kjo është një trajektore shumë e lehtë, në favor të faktit ku rastet aktive janë më pak. Deri tani janë testuar 0,18 përqind e popullatës. Kjo nuk është një shifër që ne e dimë kuadrin e të infektuarve në nivel kombëtar”, nënvizoi epidemiologu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re