A merrni mjaftueshëm vitaminë B12?

Vitamina B12 ka shumë funksione në trupin tuaj, si psh: ndihmon në krijimin e ADN-së dhe qelizave të kuqe të gjakut.

Meqenëse trupi juaj nuk e prodhon vitaminën B12, ju duhet ta merrni atë nga ushqimet me bazë shtazore ose nga suplementet. Dhe ju duhet ta bëni këtë rregullisht. Ndërsa B12 ruhet në mëlçi deri në 5 vjet, ju mund të keni mungesë të saj me kalimin e viteve nëse dieta juaj nuk ndihmon në ruajtjen e niveleve të duhura.

Sa Vitaminë B12 duhet të merrni?

Përgjigja varet nga disa faktorë, duke përfshirë moshën tuaj, zakonet tuaja të ushqyerit dhe gjendjen shëndetësore, dhe çfarë medikamentesh merrni.

Sasitë mesatare ditore të rekomanduara, të matura në mikrogramë (mcg), ndryshojnë sipas moshës:

  • Foshnjat deri në 6 muaj: 0.4 mcg
  • Foshnjat e moshës 7-12 muajsh: 0,5 mcg
  • Fëmijët e moshës 1-3 vjeç: 0.9 mcg
  • Fëmijët 4-8 vjeç: 1.2 mcg
  • Fëmijët e moshës 9-13 vjeç: 1.8 mcg
  • Adoleshentët e moshës 14-18 vjeç: 2.4 mcg
  • Të rriturit: 2.4 mcg – 2.6 mcg

Ushqime të pasura me vitaminë B12

Ju mund të merrni vitaminën B12 në ushqimet shtazore, të cilat e kanë atë në mënyrë natyrale, ose nga suplementet.

Burimet shtazore përfshijnë produktet e qumështit, vezët, peshkun, mishin dhe shpendët.

Mungesa e vitaminës B12

Me kalimin e moshës, absorbimi i kësaj vitamine bëhet më i vështirë. Mund të ndodhë edhe për shkak të gjendjes suaj shëndetësore, si psh nëse keni pasur një operacion për humbje peshe ose një operacion që keni hequr një pjesë të stomakut.

Ju gjithashtu keni më shumë gjasa të keni mungesë të vitaminës B12 nëse keni:

  • Gastrit atrofik, në të cilin mukoza e stomakut është holluar
  • Anemia pernicioze, e cila e bën të vështirë për trupin tuaj thithjen e vitaminës B12
  • Sëmundjet që prekin zorrën e hollë, të tilla si sëmundja e Crohn, sëmundja celiac, rritja e baktereve ose një parazit
  • Jeni përdorues të alkoolit, gjë që mund ta bëjë më të vështirë për trupin tuaj përthithjen e lëndëve ushqyese ose t’ju pengojë të merrni mjaftueshëm kalori. Një shenjë që ju mungon B12 mund të jetë një gjuhë e fryrë dhe e përflakur.
  • Çrregullime të sistemit imunitar, të tilla si sëmundja e Graves ose lupus
  • Marrja e medikamenteve të caktuara që ndërhyjnë në përthithjen e B12. Kjo përfshin disa ilaçe për djegien e stomakut, duke përfshirë frenuesit e pompës protonike (PPI) si esomeprazoli (Nexium), lansoprazoli (Prevacid), omeprazoli (Prilosec OTC), pantoprazoli (Protonix) dhe rabeprazoli (Aciphex), bllokuesit H2 si famotidina (Pepcid AC) dhe disa ilaçe të diabetit si metformina (Glucophage).

Ju gjithashtu mund të keni mungesë të vitaminës B12 nëse ndiqni një dietë vegane (që do të thotë se nuk konsumoni produkte shtazore, përfshirë mishin, qumështin, djathin dhe vezët) ose jeni një vegjetarian që nuk konsumoni mjaftueshëm vezë ose produkte qumështi për të plotësuar nevojat tuaja për vitaminë B12. Në të dyja këto raste, ju mund të shtoni ushqime të fortifikuara në dietën tuaj ose të merrni suplemente për të përmbushur këtë nevojë.

Simptomat e mungesës së vitaminës B12

Nëse keni mungesë të vitaminës B12, mund të bëheni anemik. Një mungesë e lehtë e vitaminës B12 mund të mos shkaktojë simptoma. Por nëse nuk trajtohet, mund të çojë në simptoma të tilla si:

  • Dobësi, lodhje ose marramendje
  • Rrahje zemre dhe gulçim
  • Lëkurë të zbehtë
  • Një gjuhë e lëmuar
  • Kapsllëk, diarre, humbje oreksi ose gazra
  • Probleme nervore si mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash, dobësi muskulore dhe probleme me ecjen
  • Humbja e shikimit
  • Probleme të shëndetit mendor si: depresioni, humbja e kujtesës ose ndryshimet në sjellje

Mjekimi

Nëse keni anemi ose probleme me përthithjen e vitaminës B12, fillimisht do t’ju duhet të merrni vitaminë B12. Ju duhet të shtoni në dietën tuaj produkte shtazore të pasura me vitaminë B12 ose të merrni suplemente.

Të moshuarit që kanë mungesë të vitaminës B12 ka të ngjarë të marrin një shtesë ditore B12 ose një multivitaminë që përmban B12.

Për shumicën e njerëzve, trajtimi e zgjidh problemin. Por, çdo dëmtim nervor që ka ndodhur për shkak të mungesës mund të jetë i përhershëm.

Parandalimi

Shumica e njerëzve mund të parandalojnë mungesën e vitaminës B12 duke konsumuar produktet shtazore, mish i kuq apo shpendësh, ushqim deti, produkte qumështi dhe vezë.

Nëse nuk konsumoni produkte shtazore, ose keni një gjendje mjekësore që kufizon përthithjen e lëndëve ushqyese, mund të merrni vitaminën B12 në një multivitaminë ose suplemente të tjera dhe ushqime të fortifikuara me vitaminë B12.

Nëse vendosni të merrni suplemente të vitaminës B12, njoftoni mjekun tuaj, bëni analizat përkatëse se sa nevojë keni për vitaminë B12 ose të siguroheni që ato të mos ndikojnë në asnjë ilaç që po merrni./ Webmd.com

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re