Elton Peçi, mjek obstetër-gjinekolog

Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë po flitet për Vitaminën D, e njohur ndryshe si edhe vitamina e rrezeve të diellit. Ajo prodhohet nga lëkura si përgjigje ndaj ekspozimit ndaj rrezve të diellit, por mund të merret edhe përmes ushqimit apo suplementeve në farmaci. Vitamina D është e nevojshme për trupin tone dhe luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e niveleve të kalciumit dhe fosforit në gjak, duke mbajtur kështu të shëndetshme kockat tona. Por edhe shumë pak njihet roli I vitaminës D në fertilitet.

Si e prodhojmë Vitaminën D?

Zakonisht lëkura jonë do të prodhojë sasinë e nevojshme të vitaminës D nëse kemi një ekspozim të mjaftueshëm në diell. Por jo të gjitha femrat arrijnë të ekspozohen mjaftueshëm ndaj rrezeve të diellit dhe për rrjedhojë e kanë të pamundur të mbajnë nivelet normale të vitaminës D. Janë pak ushqime të pasura në Vitaminë D, kështu që është e vështirë të marrësh sasinë e duhur sasinë e duhur të vitaminës D përmes dietës.

Ka edhe faktorë të tjerë të ndikojnë në nivelet e vitaminës D. Kemi një mundësi më të madhe për mungesë të vitaminës D tek femrat obeze apo ato me lëkurë të errët.

Si lidhet vitamina D me fertilitetin tek femrat?

Për femrat që janë duke kërkuar një shtatzëni, vitamina D duket se lidhet me një fertilitet më të mirë, por edhe me një shtatzëni më të shëndetshme.

Nivelet e vitaminës D në gjak prej 30mg/ml ose më shumë shoqërohen me shanse më të larta për shtatzëni. Disa prej studimeve (por jo të gjitha) tregojnë se normalizimi i niveleve të vitaminës D shoqërohet me rritje të shanseve për sukses (pra për të lindur një fëmijë) përmes trajtimeve të fertilitetit, përfshirë këtu edhe Fertilizimin in Vitro (homolog dhe heterolog).

Sa është nevoja për vitaminë D tel femrat që kërkojnë një shtatzëni?

Ende nuk ka një rekomandim fiks në këtë drejtim. Dozat e rekomanduara për femrat që janë në kërkim të një shtatzënie variojnë nga 400 IU deri në 2000 IU në ditë.

Çfarë roli ka vitamina D tek fertiliteti i meshkujve?

Nivelet e larta të vitaminës D lidhen me një morfologji dhe lëvizshmëri të mirë të spermatozoideve. Studimet tregojnë se nivelet e vitaminës D tek meshkujt mund të rrisin nivelet e kalciumit në spermën e tyre duke shkaktuar kështu një rritje të lëvizshmërisë së spermatozoideve. Studime të tjera kanë treguar se mungesa në vitaminë D tek meshkujt mund të dëmtojë lëvizshmërinë dhe përqendrimin e spermatozoideve në spermë.

Çfarë roli ka vitamina D gjatë shtatzënisë?

Vitamina D luan një rol të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen e shtatzënisë. Studimet tregojnë se mungesa e vitaminës D gjatë shtatzënisë lidhet me një rrezik më të rritur 0për lindje premature, diabet të shtatzënisë, pre-eklampsi, bakteriozë vaginale. Një pjesë e studimeve (por jo të gjitha) e lidhin mungesën e vitaminës D edhe me rritjen e rrezikut për të patur një fëmijë me autizëm. Pra vitamina D është e rëndësishme si për shëndetin e nënës shtatzënë ashtu edhe të bebes. Marrja e vitaminës D është e sigurt gjatë shtatzënisë dhe efikase në parandalimin e mungesës së vitaminës D tek të porsalindurit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re