Eksperti i Arsimit të Lartë, Olti Rrumbullaku, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me sfidat që po përballen studentët, por edhe vetë institucion arsimore në këtë fillim të ri akademik.

 

Në vitin e ri akademik u regjistruan disa mijëra studentë më pak, çfarë refleksioni bëjnë institucionet arsimore për këtë fakt?

 

“Kjo është një prirje normale që ndodh prej 20 vitesh, por kuptohet, vitet e fundit ka më shumë ndërhyrje dhe politika që synojnë që t’a balancojnë një situatë të tillë. Në momentin që kemi shumë universitete që ofrojnë një numër shumë të lartë programesh, patjetër që do të ketë një shpërndarje të studentëve në ato degë që ato i konsiderojnë me një të ardhme të konsoliduar”, tha ai duke shtuar se orientimi është shtuar drejt degëve të turizmit, ndryshe nga vitet e tjera, ku synoheshin shkencat shëndetësore. “Ka degë të ndryshme që para 15 vitesh ishin shumë të kërkuara, po flasim për Shkencat Politike apo Sociologji, Mësuesi, ndërkohë tani ka tendenca më të ulëta”, shton ai.

 

Por, krahasuar edhe me vende të tjera të rajonit, si qëndron Shqipëria në tendencën e rënies së regjistrimeve në universitete, referuar edhe popullsisë?

 

“Kjo tendencë është kudo, flas për Ballkanin, por është kudo në Europë tendenca e pasies së më të pak të të rinjve në sistemin parauniversitar”, tha ai duke nënvizuar se i rëndësishëm mbetet orientimi i studentëve, i cili në Shqipëri po ndodh siç duhet.

 

Degët e mësuesisë duken të braktisura dhe mbetet shqetësim, a do të thotë kjo se e ardhmja e edukimit të të rinjve është e rrezikuar?

 

“Duke filluar që nga vjet, duke parë trendet, pa diskutim që ka pasur një ndërhyrje shumë të fortë ndërmjet atyre që quhen degë prioritare, me një sistem shumë të konsoliduar bursash. Vjet nuk u mor informacioni si duhej nga studentët dhe universitetet nuk e reklamuan siç duhej”, shton ai duke nënvizuar se në këtë vit të ri akademik duket se kjo politikë ka funksionuar.

 

Universitetet në Shqipëri sipas një rankimi rajonal raportohet se kanë rënë me 200 vende krahasuar me një vit më parë, si shpjegohet kjo?

 

“Ky është një ndër dy-tre rankimet kryesore në botë, rankimi deri para tre vjetësh nuk ka pasur Europën, por ka pasur kryesisht rankimin botëror dhe rankimin e disa vendeve në zhvillim”, thekson ai duke nënvizuar se për herë të parë është sistemi i rankimit tërësisht Europian dhe bëhet fjalë për një renditje të re, që nis me universitete si Oxford.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re