Skip to content

Viti nga sulmi në Capitol Hill: çdo të bëjë Trump atë ditë?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump tha se do të mbajë një konferencë për shtyp më 6 janar, në përvjetorin e parë të sulmit të mbështetësve të tij në Capitol Hill.

Miliarderi republikan tha se do të diskutonte për zgjedhjet presidenciale të mbajtura në nëntor 2020 në Mar-a-Lago në shtetin federal amerikan të Floridës, duke përsëritur se votat e tij ishin vjedhur në ato zgjedhje.

Trump kritikoi komisionin parlamentar përgjegjës për hetimin e sulmit në Capitol Hill, duke e konsideruar atë “jashtëzakonisht të njëanshëm”, raportoi AFP.

Sipas tij, duhet të bëhet një hetim për “zgjedhjet e rreme presidenciale” në vitin 2020.

“Do të mbaj një konferencë shtypi më 6 janar në Mar-a-Lago për të diskutuar këtë”, tha Trump, duke vlerësuar se kryengritja u zhvillua më 3 nëntor, kur u mbajtën zgjedhjet.

Trump, i cili humbi zgjedhjet e vitit 2020 me më shumë se shtatë milionë vota ndaj demokratit Joe Biden, ka lënë të kuptohet në muajt e fundit se ai mund të kandidojë për një mandat tjetër presidencial të vitit 2024.

Komiteti parlamentar, punën e të cilit Trump kundërshton, po përpiqet të hedhë dritë mbi ngjarjet e 6 janarit 2021, kur disa mijëra mbështetës të tij sulmuan selinë e Kongresit në përpjekje për të parandaluar konfirmimin zyrtar të fitores së Biden.