Vitore Tusha do të vijojë të jetë në krye të Gjykatës Kushtetuese deri në zgjedhjen e një kryetari të ri. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme në gjyqtarëve të kësaj gjykate të cilët u mblodhën për herë të parë që pas plotësimit të kuorumit prej 7 anëtarësh. Në njoftimin e shpërndarë për mediat GJK thekson se u arrit në këtë përfundim duke qenë se Tusha është gjyqtarja më e vjetër në detyrë në radhët e anëtarëve të tjerë.

“Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të datës 7 janar 2021 vendosën si më poshtë vijon: Të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative në funksion të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d të ligjit nr.8557/2000 (i ndryshuar);

Të ngarkojnë znj. Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit;

Të caktojnë përbërjen e 3 kolegjeve për vitin kalendarik 2021, në bazë të nenit 13, shkronja e) të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar;

Të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre”, thuhet në njoftim.