Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Paris nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, në kuadër të vizitës 2-ditore në Francë me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron.

Gjatë kësaj vizite pritet të zhvillohen takime të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Kreu i qeverisë përmes një postimi në “Facebook” e ka quajtur një moment historik në politikën tonë të jashtme, vizitën dypalëshe mes Shqipërisë dhe Francës, ku u shpreh se do të hidhen hapa konkretë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit strategjik me Francën.

“Për një tjetër moment historik në politikën tonë të jashtme, vizitën dypalëshe nesër me Ceremonial Shtetëror, e para e këtij niveli në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Francës, ku do të hedhim hapa konkretë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit strategjik me Francën”, – shkruan Rama.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme do të zhvillohet edhe një deklaratë e përbashkët për mediat nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Macron si dhe pritet të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re