Shtypi i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) ka tërhequr vëmendjen se vizita që Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan zhvilloi dje në Ankara do t’i çojë në një periudhë të re marrëdhëniet mes Turqisë dhe vendeve arabe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazetat ditore në EBA kanë vendosur në titujt e tyre kryesorë vizitën që princi Bin Zayed zhvilloi dje në Turqi me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

Gazeta “Al-Ittihad” vizitën e Bin Zayed e ka dhënë me titullin “EBA dhe Turqia…Marrëdhënie që japin shpresë”, dhe ka vënë theksin se bashkëpunimi dhe puna e përbashkët e bazuar në paqe dhe stabilitet mes dy vendeve përbëjnë horizonte të reja.

Si hap i parë në periudhën e re mes dy vendeve, EBA ka ndarë një fond prej 10 miliardë investime në Turqi njoftoi gazeta e cila theksoi se “Pikërisht ashtu sikur e tha dhe presidenti Erdoğan, kjo vizitë është përgatitje e një periudhe të re që premton zhvillimin mes dy vendeve”.

Në lajmin e gazetës “Al-Ittihad” vihet në dukje se dy vendet të cilat vazhdojnë zhvillimin në sektorë të ndryshëm, kanë filluar një partneritet të qëndrueshëm ekonomik.

– Në marrëdhënie u përcaktua udhërrëfyesi i ri

Gazeta “Al-Khaleej”, takimin mes princit Bin Zayed dhe presidentit Erdoğan e ka dhënë me titullin “Një vizitë e jashtëzakonshme” dhe ka tërhequr vëmendjen se me këtë vizitë është përcaktuar udhërrëfyesi i ri në marrëdhëniet e lashta mes EBA-së dhe Turqisë.

Vizita e zhvilluar dje “ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme” nënvizoi gazeta duke bërë më tej vlerësimin se “Kjo vizitë në aspektin historik, gjeografik, fetar dhe interesave të përbashkëta i transferon në një periudhë të re marrëdhëniet e Turqisë me EBA-në dhe vendet arabe”.

Takimin e nivelit të lartë mes EBA-së dhe Turqisë gazeta “Al-Watan” e ka dhënë me titullin “Mohammed bin Zayed rregullon rrjedhën e historisë” duke shtuar se vizita ka rëndësi të madhe në aspektin e zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në shumë fusha, kryesisht në ekonomi.

Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Bin Zayed i cili zhvilloi dje një vizitë në Ankara me ftesë të presidentit Erdoğan tha: “Zhvilluam bisedë të frytshme të bazuar në mundësitë për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike”. Ai shpreson që të hapin horizonte të reja dhe premtuese për bashkëpunimin dhe se dëshirojnë të punojnë së bashku për të realizuar interesat reciproke, zhvillimin dhe pritshmëritë e mirëqenies që do të jenë në dobi të të dy vendeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re