Vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike shqiptare, për shkak të kohës së ndjeshme kur ndodhi, vetëm pak ditë para prezantimit të kabinetit të ri qeverisës nga Kryeministri Edi Rama.
Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Kjo Javë” në News24, theksoi se kjo vizitë ka shkaktuar shqetësim në radhët e mazhorancës.
“SPAK e ka deklaruar që një ministër është nën hetim, por nuk është bërë publik emri. Vizita e Dumanit në DASH e ka ‘trazuar’ Ramën, pasi ai do të përpiqet të marrë sa më shumë informacion për të mos përfshirë në qeveri emra të rrezikuar,” – u shpreh Lala.
Sipas Lalës, nëse rezulton që një nga ministrat e rinj është nën hetim nga SPAK, kjo do të përbënte një goditje të fortë për imazhin politik dhe ndërkombëtar të Ramës, veçanërisht në klimën aktuale të pasigurisë dhe monitorimit ndërkombëtar.
Ajo përmendi disa figura të njohura që janë përballur me hetime në vitet e fundit, duke përfshirë, ish-ministrin Lefter Koka, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ish-deputetin Arben Çyrbja dhe ish-ministrin Ilir Beqaj.
“Ka pasur shumë raste që kanë shkaktuar tronditje. SHBA nuk flet me emra, por me prioritete. Marrja e një ministri nën hetim do të kishte kosto të madhe për Ramën,” – deklaroi gazetarja.
Lala theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetësi më i madh i reformës në drejtësi në Shqipëri, por shtoi se implementimi i saj në praktikë ka lënë shumë për të dëshiruar.
“Shqipëria kishte nevojë për një reformë dhe për një shkundje të sistemit. SHBA e mbështeti fuqishëm, por mënyra si u bë reforma ishte e gabuar,” – tha ajo.
Sipas saj, vizita e kreut të SPAK në DASH nuk ishte një veprim rutinë, por mbart një sinjal të qartë për presionin ndërkombëtar mbi çështjet e drejtësisë dhe integritetit të qeverisjes në Shqipëri.



