Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka ndarë detaje nga vizita e kësaj të mërkure e ambsadores amerikane, Yuri Kim në selinë rozë. Gjiknuri zbulon se në fokus të bisedës ishin zgjedhjet elektorale të 14 majit dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral.

 

“Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim. Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit”, shkruan Gjiknuri.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaron se ka garantuar ambasadoren amerikane për vendosmërinë e kësaj force politike në mbarëvajtjen e zgjedhjeve vendore në përpuethshmëri me rekomandimet e BE.

 

“E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, përfundon Gjiknuri.

 

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim këtë të mërkurë po takohet me liderët e partive kryesore në vend. Në prag të zgjedhjeve vendore, Yuri Kim do të vizitojë selinë blu dhe atë të Partisë së Lirisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re