Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në fund të vizitës një ditore në vendin tonë të numrit dy të qeverisë amerikane.

Në fjalën e tij Rama theksoi se në qendër të bisedës mes tyre kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve si ato për sigurinë por edhe ato ekonomike.

Rama theksoi se fton në Shqipëri investitorët amerikanë në fushën e energjisë së gjelbër.

Ndërsa shtoi se edhe vetë Sekretari Blinken e pa se Shqipëria është një atraksion turistik, prandaj fton gjithë qytetarët amerikanë që të vizitojnë vendin tonë.

“Kemi diskutuar për dimensionet e bashkëpunimit tonë bilateral, në fushën e sigurisë, por një bashkëpunim edhe në një përmasë ekonomike. Për ne është e padiskutueshme nevoja dhe rëndësia e investimeve amerikane në Shqipëri, si një dëshmi jo vetëm e kësaj marrëdhënieje, por edhe e vetëdijes për potencialin e madh që Shqipëria ka në një sektor shumë kritik, si sektori i energjisë. Administrata amerikane është shumë e angazhuar për të përballuar sfidën e ndryshimeve klimaterike, dhe për të mbështetur programet e energjisë së gjelbër, dhe kompanitë amerikane janë një partner i dëshiruar. Shpresojmë që ky proces që ka nisur do të shkojë më tepër përpara. Shqipëria është një vend të cilin sekretari mund ta dëshmojë që turistët amerikanë ja vlen ta vizitojnë. Ndryshe nga SHBA, në një vend shumë të vogël mund të gjejnë gjithçka nga bukuritë e natyrës që nga plazhet deri te majat me dëborë të madhe”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re