Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së Parë për Havier Dobin dhe pastruesen Rozeta Dobi, të akuzuar për vjedhjen e një shume të madhe parash në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi.
Më 8 janar në banesën e nënë e bir, u gjetën rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri pas një kontrolli të ushtruar nga forcat e policisë.
Shërbimet e Policisë gjetën të fshehura paratë dhe aksesorët e floririt në tubin e aspirimit.
Njoftimi:
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:
Më datë 15.12.2022, është njoftuar salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, tek pallati “Orion” është vjedhur banesa e shtetases me iniciale A.K Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorë të dyshuar të vjedhjes së banesës së shtetases me iniciale A.K, është shtetësja me iniciale R.D, e punësuar si pastruese së bashku me djalin e saj me iniciale H.D.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me ndalimin dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale R.D dhe H.D të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhje” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/3 dhe 25 të Kodit Penal.
Me vendimin nr. 42 Akti, datë 09.01.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
-Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim R.D.
-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim R.D, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
-Vlerësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim H.D.
-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim H.D, atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale
Çështja në apel u shqyrtua vetëm mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale H.D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, lidhur me masën e sigurimit, duke caktuar atë të “arrestit në shtëpi”.
Në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj.Elona Mihali, me vendimin e datës 25.01.2023 vendosi:
– Miratimin e vendimit nr.42 akti date 09.01.2023 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane