Gjetan Gjetani, ish-deputeti socialist tashme i pavarur, ka komentuar ngjarjen e rëndë, pasi vjehrri i tij Hasan Mira, u vetëflijua duke u vetëhedhur nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi”.

I kontaktuar nga ABC News, Gjetan Gjetani tha se do të flasë në një moment të dytë për ngjarjen dhe sqaroi se vjehrri i tij kishte shfaqur probleme psikologjike ditën e sotme.

“Do flas në një moment të dytë për ngjarjen. Problemet psikologjike i shfaqi ditën e sotme,“- mësohet të ketë thënë Gjetani.

Vjehrri i Gjetanit, Hasan Mira nga Klosi u vetëflijua mbrëmjen e sotme.

Mira, vetëm para dy ditësh kishte rezultuar i infektuar me Covid-19 dhe ishte shtruar në spitalin Covid-2, nga ku dhe u vetëhodh.

Ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, por jo në gradën e intubimit.

Paraprakisht është raportuar se shkaku që e ka çuar 65-vjeçarin të ndërmarrë këtë akt, ishte gjendja e tij e rënduar psikologjike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re