Një anëtar i ekipit të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), i cili po kryen një hetim në Wuhan, qytetin kinez ku u shfaq virusi Corona, tha se ishte i befasuar nga kompleksiteti i detyrës për të zbuluar origjinën e virusit dhe që kërkimi do të zgjaste me vite.

Dominic Dwyer, një mikrobiolog dhe ekspert i sëmundjeve infektive, tha se një grup kërkimor në Wuhan kishte marrë qasje nga autoritetet kineze për të hetuar fillimet e pandemisë së virusit koronar, regjistruar për herë të parë në atë qytet kinez.

“Të gjithë e dinë se si shpërtheu pandemia nga tregu Huanan në Wuhan, por është thelbësore për të gjetur se çfarë po ndodhte deri atëherë dhe më parë,” tha Dwyer.

Origjina e koronavirusit u bë një çështje tepër e politizuar pas kritikave ndërkombëtare të Kinës për mungesë transparence në ditët e para të epidemisë. Pekini po mbron teorinë se virusi mund të ketë origjinën diku tjetër.

Dwyer, një ekspert australian i HIV-it, i cili bashkëpunoi me OBSH gjatë epidemive të SARS dhe gripit të shpendëve, tha se “enigma” kryesore e COVID-19 është se pacientët e parë asimptomatikë nuk e dinin se mbanin virusin.

Dwyer pajtohet me Peter Daszak, një zoolog dhe ekspert i sëmundjeve të kafshëve, gjithashtu një anëtar i ekipit, i cili thekson se do të jetë shumë e vështirë të kuptohet origjina e virusit.

 “Edhe me SARS dhe Ebola, ne kemi disa ide të mira, por askush nuk është i sigurt,” i tha Daszak Reuters të enjten. “Ne nuk i dimë rrethanat e sakta të HIV”.

Hetuesit vizituan spitale, qendra kërkimore dhe një treg të prodhimeve të detit ku u raportua rasti i parë, por kontaktet e tyre në Wuhan ishin të kufizuara në vizitat e organizuara nga kolegët kinezë.

Dwyer tha se ekipi kishte përfunduar turin fillestar dhe ishte duke u përgatitur për të paraqitur përfundimet e para sa më shpejt të jetë e mundur, para se viza 28-ditore e anëtarëve të grupit kërkimor të skadojë javën e ardhshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re