Reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë që niveli i Vjosës të rritet në kuotat mbi 6.3 metër mbi nivelin e detit duke përmbytur në këtë mënyrë një pjesë të pazarit pranë urës së Mifolit.

Sipas informacioneve nga banorë të zonës por edhe shtabit të Prefekturës nëse reshjet do të pushojnë prurjet e Vjosës nuk do të jenë një problem për zonën.

Por nëse reshjet vijojnë me intesitet në zonat e Përmetit dhe Gjirokastrës atëherë do të kemi një rrezik për përmbytje. Si pasojë e reshjeve të rëna në ditët e fundit, dhe vetë lagjet në brendësi të qytetit të Vlorës patën dje përmbytje ku niveli i ujit arrinte deri në gjysëm metri në disa zona.

Ndërkohë problemet me përmbytjet kanë nisur dhe në qytetin e Lezhës, ku dy lagje të sajh ’11 Janari” dhe “Besëlidhja” janë nën pushtetin e ujit. Katet e para të pallateve në këto dy lagje janë përmbytur, ndërkohë që janë ndeshur probleme edhe në qarkullimin e mjeteve. Po ashtu për shkak të nivelit të lartë të ujit është bërë e vështirë dhe hyrja në pallate. Një tjetër zonë që ka pasur probleme me përmbytjet është dhe ajo e Kallmetit.

Ndërkohë sipas Meteoalb reshjet e shiut pritet të jenë prezente dhe gjatë ditës së sotme, pothuajse në të gjithë territorin e vendit, edhe pse me një intesitet më të ulët se dje. Ajo që është alarmante është fakti se kjo situatë reshjesh ka qenë e paralajmëruar dhe sërish institucionet nuk mundën që të merrnin në kohë masat e duhura për evitimin e përmbytjeve.

Sot moti do të jetë e alternuar me kthjellime dhe vranësira duke sjellë mot të paqëndrueshëm i shoqëruar me reshje të denduara në të gjithë territorin. Ndërkohë në zonat e thella malore reshje do jenë në formën e dëborës. Gjatë pasdites intensiteti i reshjeve do të jetë më i ulët.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë një rritje të lehtë, ku do të variojnë: në zonat malore, nga -2°C në 03°C, në zonat e ulëta nga 04ºC në 09°C dhe në zonat bregdetare nga 07°C në 11°C.

Era do të fryej në drejtim Jugor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 4 ballë. Kosova sot do të mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh të cilat do të sjellin mot të paqëndrueshëm i shoqëruar me reshje në të gjithë territorin. Temperaturat do të pësojnë një rënie të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga -2°C në 02°C dhe në zonat e ulëta nga 01°C në 05°C.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re