Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nesër do të jetë në Tiranë për një vizitë dy ditore. Takimin e parë presidentja e Kosovës do ta zhvillojë me homologun Bajram Begaj me të cilin do te ketë edhe një konferencë për gazetarët.

 

Gjatë qëndrimit në Tiranë Vjosa Osmani do të takojë edhe kryeministrin Edi Rama e kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla.

 

Vizita e Osmanit vjen në një kohë kur Kosova po përgatit zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe; në përpjekje për të ulur tensionet në veri dhe për të siguruar heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

 

Marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë janë acaruar në muajin maj kur banorët e komunave me shumicë serbe kundërshtuan hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veriun e vendit.

 

Qasja e Prishtinës zyrtare ndaj kësaj situate dhe kërkesave të faktorit ndërkombëtar u shoqërua me tensione edhe mes Tiranës e Prishtinës zyrtare dhe në muajin qershor u anulua mbledhja e përbashkët mes dy qeverive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re