Pas vendimit që miratoi sot qeveria në lidhje me marrëveshjen me qeverinë gjermanë për rikonstruksionin e konvikteve në Universitetin e Tiranës, vjen një reagim nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Përmes një deklarate për mediat nga selia e LSI-së, deputetja Kejdi Mehmetaj sulmoi kryeministrin Edi Rama ndërsa shtoi se projekti në fjalë duhet të kishte përfunduar. Në emër të LSI ajo tha se Rama po tallet me studentet.

Deklarata e Mehmetaj:

Në shtator të 2017 në Parlamentin e Shqipërisë, unë së bashku me kolegët e LSI, kemi mbajtur qëndrimet tona rreptësishtë llogarikërkuese dhe agresive, lidhur me një grant që i ishte dhënë shtetit shqiptar nga KFV-ja gjermane, me qëllim rehabilitimin, rikonstruksionin për konviktet të ndodhura në Qytet Studenti, sipas parimit të eficensës së energjisë elektrike.

Në 2017 na u soll një kërkesë për shtim fondi dhe fjalët tona kanë qenë pikërisht këto: 4.5 milion euro ishin dhënë në fazën e parë për këtë fond, por me ato 4.5 milion euro ende nuk kishte ndodhur asgjë.

Projekti do të duhej të kishte filluar në 2016, të mbaronte në 2018, por në 2017 u shtua një pjesë e fondit, ndërkohë asgjë nuk kishte filluar në Qytetin Studenti, asgjë nuk dihej se kush nga konviktet do të rikonstruktohej dhe akoma më pak askush nuk bënte transparencën se si ishte projekti mbi të cilin jepeshin dhe paratë nga ky fond.

Në atë kohë kemi thënë qartazi, se kjo është një dorë korruptive, e cila vazhdon të mos tallet vetëm me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por edhe me ato të taksapaguesve gjermanë.

Ja ku jemi sot në ditën e 8 te protestës së mijëra studentëve shqiptarë, të cilët dalin aty dhe me sinqeritetin dhe kokëfortësinë që i karakterizon, i kërkojnë kryeministrit që të vërë dorë mbi ato konvikte, që siç e thanë strehojnë mijëra studentë dhe nuk kanë kushtet minimale të jetesës, këtë e kemi thënë tashmë prej 4-5 vitesh. Dhe kryeministri për ti hedhur hi syve, nxjerr sot një gajasmë shtim fondi të tretë për të njëjtin projekt, i cili edhe pse duhej të ishte në vitin e tij të fundit, ende nuk i ka dhënë rezultatet për banorët, rezidentët e Qytetit Studenti.

Nëse aty do të kishte patur në qoftë edhe pak ndërhyrje serioze, studentët nuk do të ishin sot në shesh.

Studentët janë sot në shesh dhe vazhdojnë të jenë sot në shesh, kanë kaluar mbrëmë natën dhe kryeministri tallet me ta , tallet me fëmijët e shqiptarëve, të cilat në temperatura -1 apo -2oC qëndrojnë në të ftohtë atje, kërkojnë të drejtën e tyre për të studiuar, kërkojnë të drejtën e tyre për të jetuar në kushte dinjitoze, madje jo ti afrohen të rinjve europian, por të jenë pak më mirë seç janë tani, të paktën të kenë shansin që të gatuajnë, të kenë ngrohje, të kenë shansin që të jetojnë pa frikën se dikush do tu vijë në konvikt dhe do tu ndërrojë dhomat, sepse aty paguhet ryshfet edhe me radhë.

Po e përsëris edhe një herë, për tu hedhur hi syve shqiptarëve, vjen sot me një fazë të tretë të një projekti që ende nuk ka thënë seç ka ndodhur me milionat e mëparshme të eurove. I bëj edhe një edhe një herë kryeministrit, sot në parlamentin shqiptar Lëvizja Socialiste për Integrim ka depozituar amendimet ose aktet ligjore të nevojshme për të dhënë një fond dinjitoz, 5 miliardë euro në mënyrë që konviktet e studentëve të rikonstruktohen, që realisht ata të kenë kushte dinjitoze.

Të tallesh sot me studentët, tu hedhësh copa letrash përpara edhe asgjë konkrete, do të thotë vetëm të kesh frikë prej tyre, jo vetëm të jesh në ngërç, por edhe të duash të bësh sikur ata nuk ekzistojnë. Sado të duash kryeministër, ata janë aty, ata janë në shesh, ata nuk do të lëvizin nga aty derisa tu plotësohen kërkesat e tyre, por mbi të gjitha nuk do të lëvizin nga ai shesh deri sa Shqipëria të bëhet vendi i ëndrrave të tyre dhe Shqipëria nuk bëhet dot vendi i ëndrrave të tyre as me gënjeshtra, as me mashtrime dhe aq më pak me korrupsion.

Kështu që edhe një herë e bëjmë këtë konferencë për shtyp, tashmë jo për ti bërë thirrje qeverisë shqiptare sepse qeveria shqiptare nuk ka më sy e veshë, qeveria shqiptare duhet ti lërë sot zyrat e saj, por e bëjmë këtë thirrje për qeverinë gjermane që të vijë dhe të kontrollojë se çfarë ka ndodhur me milionat e eurove, të cilat i janë dhënë si grant në Shqipëri për rikonstruksion dhe rinovimin e konvikteve, por ende nuk kemi parë asnjë rezultat, ndërkohë që ky duhet të ishte viti i finalizimit të atij projekti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re