Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane (CIA) vlerësoi se Presidenti rus Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij të parë “ndoshta po drejtojnë operacionet ruse për të ushtruar ndikim” në mënyrë që të rrezikojnë kandidatin presidencial demokrat Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit, shkruan Washington Post.

“Vlerësimi ynë është se Presidenti Vladimir Putin dhe zyrtarët e lartë rusë kanë njohur dhe drejtuar operacionet e ndikimit rus që synojnë denigrimin e ish-zv.presidentit të SHBA, mbështetjen e presidentit (aktual) të SHBA (Donald Trump) dhe nxitjen e mosmarrëveshjes publike përpara zgjedhjeve amerikane në nëntor,” shkruan Post, referuar vlerësimeve të CIA-s.

Washington Post shton, duke cituar dy burime pa emër që rishikuan dokumentin, se CIA e bëri këtë vlerësim më 31 gusht, bazuar në të dhënat nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe FBI, duke përdorur burime të fshehta publike dhe sekrete, raporton CNN.

Ndërhyrja aktive në zgjedhje

Atu thuhet gjithashtu se megjithëse shërbimet e inteligjencës amerikane kanë akuzuar publikisht Rusinë për ndërhyrje aktive në zgjedhjet e vitit 2020, agjencitë nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim të përfshirjes së mundshme të Putinit.

CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranuan të komentojnë mbi këto pretendime nga Washington Post, si dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe FBI, të cilat u kontaktuan nga CNN.

Ish-oficeri i CIA-s Douglas London i tha CNN se kur agjencia përdor fjalën “ndoshta”, në rastin e pyetjeve me një rëndësi kaq të madhe, kjo tregon se analistët e saj janë mjaft të bindur “për të vendosur reputacionin e tyre në linjë” dhe për të thënë diçka të tillë.

Shtetet e Bashkuara akuzuan Putinin në 2017 për drejtimin e të gjitha përpjekjeve për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale 2016.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re