Nga Ervin Sina

Më të mirët e sportit shqiptar në vitin që po mbyllet, u nderuan në një mbrëmje gala organizuar  nga Komiteti Olimpik. Sportistë, trajnerë dhe ekipe me rezultate të larta në garat kombëtare e mbi të gjitha në përfaqësimet e Shqipërisë jashtë vendit ishin në fokus të ceremonisë, e cila kishte të ftuar nderi edhe kryeministrin Rama. Kreu i qeverisë i dorëzoi trajnerit të kombëtares Silvinjo çmimin e Komitetit Olimpik duke e përcjellë si zakonisht këtë moment edhe me një batutë.

“Është pa diskutim një privilegjin që mu dha mua mundësia t’i dorëzoj trajnerit të ekipit tonë kombëtar këtë simbol vlerësimi nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe shpresoj shumë që ajo kupë e vogël të jetë një ogur i mirë në betejën për një kupë më të madhe.Nuk kam patur mundësi të flas me trajnerin, por e kam folur pak me presidentin sot në mëngjes sepse krejt rastësisht takova mbrëmë trajnerin e ekipit kombëtar të Italisë në Romë dhe ndër të tjera më tha që, “Shqipëria është skuadra më në formë sot për sot nga të gjitha skuadrat. Shpresoj që në gjashtë muaj Shqipëria të bjeri nga forma dhe Italia të rritet në formë, por po të kisha patur mundësi  të zgjidhja, nuk do kisha zgjedhur në asnjë mënyrë që ndeshjen e parë ta kisha me Shqipërinë”, tha Rama.

Rama shtoi se mbështetja ndaj sportistëve elitarë nga qeveria jo vetëm i ka dhënë atyre atë çka iu mungonte duke frenuar largimin jashtë vendit, por ka bërë të mundur afrimin edhe të sportistëve të huaj elitarë në Shqipëri.

“Mua më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi kapërcyer një fazë jashtëzakonisht, jo vetëm të vështirë, por jashtëzakonisht jo dinjitoze për të gjithë ne, për shtetin tonë, për qeverinë, patjetër pastaj për Komitetin dhe federatat, atë fazë që siç e përmendi edhe Presidenti i Komitetit Olimpik; ata kampion  në që kishim ose merrnin arratinë dhe hynin në garë për flamuj të tjerë, ose dhe kur arrinin ndonjë rezultat me flamurin shqiptar mbeteshin pa asnjë mbështetje, pa asnjë përkrahje dhe pastaj mbaronin aktivitetin sportiv dhe ishin rrugëve.

Sot, kjo jo vetëm nuk ndodh më, por sot është garantuar që kjo nuk do të ndodh më kurrë, sepse nga njëra anë të gjithë sportistët, të cilët arrijnë rezultate, që nga ato “më modestet”, titujt kombëtar deri tek rezultatet fantastike si rezultatet e Luiza Gegës, po përmend vetëm Luizën dhe pastaj të gjithë të tjerëve, shpërblehen dhe përfshihen në një sistem i cili siguron që edhe pas mbarimit të aktivitetit sportiv të gjithë këta kampionë kanë një vend të nderuar në shoqëri dhe jo vetëm në zemrën e në kujtesën e atyre që i kanë parë triumfet e tyre, por edhe në jetën e tyre të përditshme, duke u përfshirë në Forcat e Armatosura”, shtoi Rama.

Gjatë mbrëmjes gala në Pallatin e Kongreseve u vlerësuan edhe kampionë si mundësit Abakaravo e Dudaev, atletet Luiza Gega e Izmir Smajlaj, peshëngritesit Briken Calja e Erkand Qerimaj, gjimnasti Matvei Petrov, kampionia e e Badibillding dhe i bilardos Gentiana Beqa dhe Eklant Kaçi, boksieri Alban Beqiri, xhudisti  Indrit Çullhaj,  yjet e karatesë dhe taekondose Alvin Kariqi, Ernest Merdanaj dhe Juirdo Çani, por edhe mjaft personazhe të tjerë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re