Kthesë në gjyqin për grupin e drogës të cilit iu kap 2.5 tonë mariuanë në kamion.
 
I riu nga Vlora i cili ka fituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur ka rrëfyer se e ka transportuar edhe ngakesa të tjera duke filluar që nga viti 2011-të.
 
Duket se procesi gjyqësor për bllokimin e 2.5 tonë kanabis të kapur në Itali në fillim të vitit 2017, e kaluar nga porti i Durrësit, do të marrë një kthesë tjetër. Këtë të mërkurë, në gjykatën e krimeve të rënda, dëshmitari i mbrojtur i kësaj dosje, Aurel Lazaj nxori në drite fakte të reja.
 
Vizion Plus mëson se në seancën me dyer të mbyllura, Lazaj ka pohuar se ka punuar për këtë grup shumë vite më parë dhe jo vetëm në 2017, kur është kapur ngarkesa me kanabis.
 
I riu nga Vlora tha para togave të zeza se rolin e transportuesit të drogës nga vendi ynë drejt Italisë e ka kryer që në vitin 2011 dhe se porosite i ka marrë po nga i njëti grup.
 
Për këtë dosje, në qeli, nën masën e sigurisë “arrest me burg” janë 4 të pandehurit Euron Hoti, Malton Lleshi, Gezim Dervishi dhe Agron Kapllani, ish-punonjës policie.
 
Për sekuestrimin e 2.5 tonë kanabis, vitin e kaluar ranë në pranga edhe punonjës të portit të Durrësi. Pjesë e dosjes ishte edhe Demo Progonati, shoferi i kamionit të kapur në Ankona, i cili ndërroi jetë në QSUT.
 
Seanca e radhës, ku pritet që avokatët mbrojtës të 4 të pandehurve t’i drejtohen me pyetje dëshmitarit të drejtësisë, do të zhvillohet më 2 Tetor.  Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat e trafikut të drogës, grup i strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re